Mektebi – Mejtepi
Mektebi apo në gjuhën shqipe mësonjtorja, është shkollë tradicionale apo institucion arsimor ku fëmijët mësojnë bazat e besimit islam. Roli i mektebit është madhor dhe fisnik. Në mektebe, fëmijët pajisen me edukatë fetare dhe i mësojnë vlerat morale. Përveç kësaj, në mekteb të vegjlit mësojnë edhe si t‘i shërbejnë komunitetit dhe të respekojnë zakonet dhe traditat e komuniteteve të tjera fetare. Shkurtimisht, roli dhe funksioni i mektebit është formimi i individit dhe familjes së shëndoshë muslimane, e kjo është garancë edhe për mirëqenien e përgjithshme shoqërore.
Mektebet në Zvicër, krahas mësimit fetar dhe vlerave morale, kanë kontribuuar dhe kontribuojnë edhe në kultivimin e një elementi shumë të rëndësishëm të identitetit tonë, gjuhës shqipe, ngase ligjërimi në këto mektebe bëhet ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Bile, në disa vende në diasporë, në mektebe janë zhvilluar orë të veçanta për gjuhën dhe për historinë kombëtare shqiptare.
Mësimi në mektebin e xhamisë sonë mbahet kryesisht në fundjavë, pra çdo të shtune dhe të diele për nxënësit e shkollave fillore. Gjithashtu ka raste kur vijnë fëmijë përpara se të regjistrohen në shkolla fillore dhe fëmijë parashkollorë.
Falë mektebeve, myslimanët në perëndim kanë ruajtur dhe ruajnë fenë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre.
Mësim-besimi në mektebin e xhamisë sonë zgjatë katër vite. Ndërsa me rastin e përfundimit të mektebit organizohet një ceremoni fetare ku nxënësit paraqiten me një program përpara prindërve dhe xhematit dhe në fund pajisen me certifikata nga ana e imamit dhe kryesisë.
Regjistrimi i nxënësve të ri bëhet në fillim të vitit. Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten te imami/mësimdhënësi i lëndes fetare apo te kryesia e xhamisë.
Përgatiti: Enes Koshi
Mësimdhënës i lëndes fetare