Institucioni

BASHKËSIA ISLAME “AL-SHEMS”

 

Bashkësia Islame “Al-Shems” me seli në fshatin Rebstein të Zvicrës është institucion fetar i pavarur i të gjithë pjesëtarëve të besimit islam që jetojnë në regjionin e Rheintalit të Kantonit të St. Gallenit. Ky institucion islam bën pjesë ndër institucionet e para islamo-shqiptare që janë hapur në Zvicër.

Kjo Bashkësi Islame ka për qëllim organizimin e jetës fetare të muslimanëve dhe angazhohet që të gjithë pjesëtarët e vet të jetojnë në përputhje më normat islame, të ruajë dhe të zhvillojë vetëdijen islame, dhe të punojë për ngritjen shpirtërore, kulturore, shkencore dhe socio­ekonomike të muslimanëve.

Ajo, gjithashtu, kujdeset edhe për ruajtjen e harmonisë dhe tolerancës ndërfetare me të gjithë pjesëtarët e feve të tjera që jetojnë në Zvicër. Përveç kësaj, angazhohet edhe për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe të traditave kombëtare.

Bashkësia Islame “Al-Shems” ka rregulloren e saj, kryesinë e xhematit prej 11 anëtarësh, imamin e rregullt, si dhe një numër mbi 600 anëtarësh të rregullt. Ky institucion fetar, bashkëpunon dhe ka marrëdhënie shumë të mira me Bashkësitë Islame të vendlindjes (Kosovë, Maqedoni dhe Preshevë), me autoritetet vendore, si dhe me xhamitë përreth vetes, duke organizuar takime dhe aktivitete të përbashkëta.

Përveç kësaj, Bashkësia islame „Al-Shems“ është anëtare e Unionit të Bashkësive Islame të Zvicrës (UBISHZ) si dhe anëtare e Lidhjes së Bashkësive Islame të Zvicrës Lindore dhe Principatës së Lihtenshtajnit, e njohur me emrin DIGO, e cila është themeluar në vitin 2003.

Bashkësia Islame në Rebstein ka nën pronësinë e saj: xhaminë (sallën për lutje), bibliotekën, mektebin (klasën për nxënës), faltoren e grave, zyrën e kryesisë, zyrën e imamit, kafeterinë dhe hapësira të tjera që shërbejnë për nevojat e besimtarëve.