Thursday , May 23 2019
Download Free FREE High-quality Joomla! Designs • Premium Joomla 3 Templates BIGtheme.net
Home / Media / KULTURA DHE MORALI I LARTË I HAZRETI MUHAMMEDIT, S.A.V.S. (Pjesa e dytë)

KULTURA DHE MORALI I LARTË I HAZRETI MUHAMMEDIT, S.A.V.S. (Pjesa e dytë)

“Jam dërguar t’i plotësoj virytet e moralit.”
(Hazreti Muhammedi, s.a.v.s.)

Kur Allahu i Madhërishëm e përsosi krijimin e tij, u shpreh në mënyrë lavdëruese për të, me fjalët:

​“Vërtet, ti je në shkallën më të lartë të moralit.”

​I lavdëruar qoftë Ai, sa i Lartësuar është dhe sa e përsosur është dhurata e Tij! Shikoje vetëm thellësinë e butësisë së Tij, madhështinë e mirësisë së Tij, në fillim dhuron, e pastaj lavdëron. Ai është i Cili e zbukuroi me ahlakun e bukur, e më pas këtë virtyt ia përshkroi atij, kur tha:

​“Vërtet, ti je në shkallën më të lartë të moralit.”

​Pastaj i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u shpjegoi krijesave (njerëzore) që Allahu i do cilësitë fisnike te njerëzit (moralin e bukur), dhe përbuz karakteristikat morale të këqija.

Hazreti Aliu, r.a., ka thënë: 
„Çuditem me njeriun mysliman! I vjen vëllai i tij mysliman me ndonjë nevojë (të kërkojë ndihmë), ndërsa ai veten nuk e mendon të aftë të bëjë ndonjë hajr. Qoftë edhe po të mos shpresojë në shpërblim ose po të mos frikësohej nga dënimi, do të ishte e domosdoshme të shpejtonte të fitojë ndonjë cilësi fisnike, sepse këto e udhëzojnë njeriun në rrugën e shpëtimit.”

​Një njeri i tha: “A e ke dëgjuar këtë nga Pejgamberi, s.a.v.s.? “Po” tha ai, “dhe diçka më të mirë se kjo. Kur u sollën robërit e fisit Taj, një robëreshë në mesin e tyre u ngrit dhe tha: ‘O Muhammed, do të ishte më mirë që të më lirosh dhe mos shkaktosh keqardhje për mua te arabët. Unë jam vajza e kryeparit të popullit tim. Babai e ka mbrojtur nderin e familjes së tij, ka liruar robërit, ka ushqyer të uriturit, e ka ndihmuar të varfrin, e ka përhapur paqen kudo që ka shkuar, asnjëherë nuk e ka refuzuar askënd që ka pasur ndonjë nevojë; unë jam bija e Hatim et-Taiut.’ Pejgamberi, s.a.v.s., tha: ’Vajzë, këto, vërtet janë cilësi të besimtarit. Sikur babai yt të ishte mysliman, ne do ta mëshironim. Lirojeni, babai i saj i ka dashur cilësitë fisnike (ahlakun e bukur), ndërsa Allahu i do cilësitë fisnike të njeriut.’ Atëherë u ngrit Ebu Berde b. Nejjari, r.a., dhe tha: ‘O i Dërguar i Allahut! Allahu i do cilësitë fisnike te njerëzit?’ Ai u përgjigj: ‘Pasha Atë në pushtetin e të Cilit është jeta ime, në Xhenet do të hyjë vetëm ai i cili ka moral të bukur’.”

​Muadh b. Xhebeli, r.a., transmeton se Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë:

​“Allahu e ka rrethuar Islamin me moral të bukur dhe vepra të mira.”

​Këtu bëjnë pjesë: kultura e sjelljes, fisnikëria në veprim, butësia, bërja e veprave të mira, ndihma të varfërve, përhapja e selamit (përshëndetja që kupton paqe), vizita e myslimanit të sëmurë, pa marrë parasysh a është fjala për bamirësin apo kundërvajtësin, përcjellja e xhenazes së myslimanit, sjellja e bukur me fqinjët me të cilët kufizohesh, pa marrë parasysh a ka të bëjë me myslimanin apo jomyslimanin, respekti i myslimanit të moshuar, t’i përgjigjesh kur të fton në gosti ose t’i bësh lutje, falja, t’i pajtosh të përçarët, bujaria, fisnikëria, toleranca, i pari të japësh selam, mënjanimi i zemërimit, falja e njerëzve.

​Kurse nga largimi prej asaj që ndalon Islami bëjnë pjesë: loja dhe argëtimi (i padobishëm), e pavërteta, kënga dhe të gjitha llojet e instrumenteve, dhuna, mashtrimi, përgojimi, gënjeshtra, koprracia, vrazhdësia, dredhia, sharja e fisit, ndërprerja e lidhjeve familjare, sjellja e keqe ndaj njerëzve, kryelartësia, egoizmi, iluzionet, paturpësia, përbuzja, zilia, besëtytnitë, çoroditja, armiqësia dhe çfarëdolloj zullumi.

​Enesi, r.a., thotë: “Asnjë këshillë të bukur nuk e linte pa na thënë apo pa na e bërë të obliguar. Nuk ka lënë asnjë gjë të shëmtuar, pa na tërhequr vëmendjen për të apo pa na ndaluar.”

​Për tërë këtë mjafton ky verset:

​“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi…”

​Muadhi, r.a., thotë: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., më këshilloi me fjalët:

„O Muadh! Të këshilloj që t’i frikësohesh Allahut, të flasësh të vërtetën, t’i plotësosh obligimet e marra, ta ruash amanetin (pasurinë e besuar, sendin ose fshehtësinë), të mos bëhesh i pabesë dhe të mos mashtrosh, ta ruash fqinjin tënd, të jesh i mëshirshëm ndaj jetimit, të mos e ngresh zërin kur flet, të përhapësh selamin, të bësh vepra të mira, të jesh shpresëshkurtër (kasrul-emel), të jesh në vazhdimësi në besim, të meditosh për Kuranin, të kultivosh dashuri ndaj Ahiretit, të dridhesh nga dhënia e llogarisë (në Ditën e Gjykimit) dhe t’i lëshosh krahët e përulësisë (të jesh i dashur dhe i mëshirshëm). Të ndaloj ta ofendosh njeriun e urtë, që mos ta bësh gënjeshtar atë që (zakonisht) flet të vërtetën, të mos i nënshtrohesh mëkatarit, apo mos të bëhesh i pabindur ndaj sundimtarit tënd të drejtë, që të mos bësh çrregullime në tokë. Të këshilloj që t’i frikësohesh Allahut, pranë çdo guri, druri, pranë çdo fshati dhe qyteti, dhe për çdo mëkat të pendohesh (tevbe); nëse mëkati është bërë fshehtazi, atëherë pendohu fshehtazi, e nëse mëkati është bërë haptazi, atëherë pendohu haptazi’.”

​Kështu ai i edukonte robërit e Allahut dhe i thërriste të stolisen me cilësi të bukura morale.

Sal-lall-llahu alejhi va alihi ve sel-lem!🌹
Vazhdon..

Lexo gjithashtu

SHEMBUJ PËR KARAKTERIN E BUKUR TË HAZRETI MUHAMMEDIT, S.A.V.S.

DISA SHEMBUJ PËR KARAKTERIN E BUKUR TË HAZRETI MUHAMMEDIT, S.A.V.S., TË CILËT DIJETARËT I KANË …

Leave a Reply