Sunday , August 18 2019
Download Free FREE High-quality Joomla! Designs • Premium Joomla 3 Templates BIGtheme.net
Home / Ligjërata javore / KRIMINELËT JANË TË HUMBUR DHE DO TË DIGJEN NË XHEHENNEM

KRIMINELËT JANË TË HUMBUR DHE DO TË DIGJEN NË XHEHENNEM

Falënderimi i plotë qoftë për Allahun e Madhëruar i Cili ngriti qiejt e shtroi tokën dhe vendosi drejtësi në to. Lavdia dhe Madhështia i qofshin vetëm Atij, i Cili thotë në Kur’anin famëlartë: “Dhe, kur të flisni, bëhuni të drejtë, qoftë edhe kundër të afërmve tuaj. Dhe, mbajeni besën e Allahut. Me këto Ai ju porosit juve në mënyrë që të përkujtoni.” (En’am: 152)

Salavatet dhe selamet qofshin për mbi zotërinë e njerëzimit, profetin e drejtësisë dhe të mëshirës, Muhammedin (a.s), i cili na porosit duke thënë: “Mos bëni padrejtësi, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Kiametit.” (Muslim)

I dashuri xhematë!

Allahu i Madhëruar me shpalljen e Kur’anit solli drejtësinë në tokë duke e konsideruar përhapjen e drejtësisë qëllim të të gjitha mesazheve hyjnore: “Ne i dërguam të Dërguarit tanë me fakte të qarta dhe iu dhamë librat dhe drejtësinë që njerëzit të punojnë me drejtësi”. (Hadid: 25)
Drejtësi mbi të cilën u ngritën edhe qiejt dhe toka, prandaj padrejtësia është kundër të gjitha mesazheve hyjnore.

Vëllezër muslimanë!

Jetojmë në një kohë ku i padituri shet dituri e i padrejti ndan drejtësi..
Tribunali i Hagës e ka liruar dje nga të gjitha akuzat kriminelin e luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë duke e shpallur të lirë dhe të pafajshëm. Të shpallet i pafajshëm kasapi i Ballkanit (e që ju e dini se për kë e kam fjalën se nuk dua t’ia përmendi emrin e tij të në këtë vend të shenjtë), ai që masakroi mijëra njerëz e bëri spastrim etnik, është me të vërtetë kulmi i padrejtësisë dhe hipokrizisë. Kjo na tregon se deri ku ka degraduar drejtësia ndërkombëtare. Lirimi i tij është fyerje dhe masakër e dytë për dhjetëra mijëra familje të viktimave nga politika dhe paramilitarët e tij.

Mirëpo, le ta dijnë të gjithë kriminelët e tiranët kudo që ndodhen se Drejtësisë Absolute të Zotit (xh.sh) kurrë nuk kanë për t’i shpëtuar.. Allahu Fuqiplotë në Kur’anin famëlartë urdhëron dhe thotë: “Pa dyshim, keqbërësit (kriminelët) janë të humbur (në këtë jetë) dhe do të digjen në zjarr (në jetën tjetër). Ditën e Gjykimit ata do të tërhiqen me fytyrat e tyre në zjarr (e do t’u thuhet): “Shijoni zjarrin e Xhehnemit!” (El-Kamer 47/48)

Dijeni o vëllezër se All-llahu është i drejtë dhe Ai nuk harron, por i jep afat kriminelëve dhe kur t’i kap dënimi i Tij, atëherë nuk mund të shpëtojnë kurrë prej tij. Dënimi i Zotit është i dhimbshëm e i rëndë..

Besimtarë të nderuar!

Kjo temë është shumë e rëndësishme, por koha nuk na mjafton të zgjatemi më tepër dhe në mbyllje po ju kujtojë ajetin që e lexojmë në hytbe çdo xhuma që të kuptoni drejtësinë dhe mirësinë e Islamit dhe të ndiheni krenarë që i takoni kësaj feje madhështore..
Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve dhe ndalon amoralitetin, neverinë dhe gjithçka që është krim dhe urrejtje. Ai ju këshillon në mënyrë që të merrni mësim.” (Nahl: 90)

Allahu na ruajt nga padrejtësia dhe zullumi dhe na udhëzoftë në drejtësi dhe bamirësi. Amin!

(Hutbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë “Al-Shems” në Rebstein, më 01 Prill 2016, Xhumada El-Ahira nga imami Enes ef. Koshi)

Lexo gjithashtu

MËNDESHAT DHE KUJDESTARET E RESULULLAHIT, S.A.V.S.

E para që i dha gji Resulullahit, s.a.v.s., ishte e ëma, zonja Amine Ez-Zuhrijje. Pastaj …

Leave a Reply